Ka ikur koha që në emër të jetimëve të luhet me kartën e «mëshirës sociale»!

 

Flet Ilir ÇUMANI, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Intervistoi Taulant DEDJA

Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në një intervistë ekskluzive per FLAS SHQIP, deklaron se problematika e fëmijëve jetimë është e lidhur drejtpërdrejtë me kuadrin ligjor, i cili favorizon një OJF të veçantë por jo kategorinë sociale të cilës i takon statusi i jetimit. Sipas tij, janë 31.000 fëmijë jetimë, nga të cilët, as 18 përqind e tyre nuk merren në mbrojtje dhe nuk përfaqësohen nga ligji aktual «Për Statusin e Jetimit». Ata janë të përjashtuar plotësisht nga shërbimet sociale, sepse ky ligj është i pazbatueshëm dhe pushteti lokal në të shumtën e rasteve është inekzistent për vënien e tij në zbatim. Në këtë intervistë, Z. Çumani i bën apel Qeverisë shqiptare që të riformulohet ligji i ri që sjell zgjidhje konkrete dhe afatgjata.

FLAS SHQIP: Me sa dimë ka një ditë të caktuar të vitit e cila i kushtohet jetimëve si kategori sociale e veçantë në shoqërinë shqiptare. Cila është ajo?

ÇUMANI : Është 20 maji, një ditë–simbol, një ditë kujtese dhe apeli për të vegjëlit e privuar nga mungesa e kujdesit prindëror, ndaj atyre që për shumë arsye kanë humbur vatrën e ngrohtë familjare, të dashurit e tyre, nënën, babanë… Është një ide dhe iniciativë e kahershme që Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe firmat e rreth 30 intelektualëve, nga më të njohurit e vendit, ndërmori 11 vite më parë duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë që kjo datë të shpallej si «Dita kombëtare e jetimëve». Kjo ditë nuk ka kuptimin e një dite fteste. Ajo më tepër ka kuptimin e një dite apeli dhe reflektimi për shtetin, shoqërinë, për të gjithë…

FLAS SHQIP: A mund të na thoni cila është situata e fëmijëve jetimë në Shqipëri ?

ÇUMANI: Ka 18 vjet që në Shqipëri është miratuar ligji «Për statusin e jetimit», por në fakt kjo kategori sociale deri tani nuk ka patur asnjë lloj përfitimi. Në politikat shtetërore për decentralizimin e shërbimeve sociale nga pushteti qendror në atë lokal, ka një përplasje institucionale dhe për pasojë institucionet ndodhen në një kaos midis këtyre pushteteve për të zbatuar ligjin, pasi pushteti lokal shpesh herë është inekzistent në politikat mbrojtëse e mbështetëse të kësaj kategorie. Ky ligj (de jure) mbron interesat e një grupi shumë të kufizuar fëmijësh.

FLAS SHIP: Po më konkretisht çfarë parashikon legjislacioni shqiptar për fëmijët jetimë dhe a ka nevojë për përmirësime në këtë fushë ?

ÇUMANI: Problematika e fëmijëve jetimë është e lidhur drejtpërdrejt me kuadrin ligjor. Ligji «Për statusin e jetimit» është një ligj që parashikon disa lehtësira që kanë të bëjnë me trajtimin e fëmijëve jetimë në institucionet rezidenciale shtetërore, me shërbimet publike falas nga shteti, me arsimimin, ndihmën mjekësore, punësimin, strehimin me prioritet të këtij grupi shoqëror. Sot, në të gjithë vendin numërohen rreth 31.000 fëmijë jetimë biologjikë dhe fëmijë jetimë social (me prindërit gjallë por të braktisur prej tyre). Nga numri i përgjithshëm, rreth 18 përqind e tyre merren në konsideratë, por që (de facto) nuk përfshihen nga kuadri ligjor aktual. I vetmi paragraf i Ligjit Nr. 8153, dt. 31. 10. 1996, «Për Statusin e Jetimit» që funksionon në mënyrë parazitare është neni 18, në bazë të të cilit shteti subvencionon ende në mënyrë të gabuar njërën prej shoqatave të jetimëve. Mendoj se neni i këtij ligji, që ka të bëjë me financimin preferencial dhe të padrejtë të kësaj shoqate e cila nuk ka asnjë dallim me shoqatat e tjera të jetimëve që nuk financohen, duhet të abrogohet njëherë e përgjithmonë. Në kuptimin juridik dhe administrativ, duhet të jetë e qartë për të gjithë se, kurrë dhe në asnjë rast të vetëm, nuk ka dhe nuk mund të ketë status për shoqata, por ka vetëm status për grupet e interesit. Grupet e interesit, nuk janë dhe nuk mund të jenë monopol i asnjë organizate të vetme, siç pretendohet qëllimisht rëndom dhe në mënyrë të pandershme nga disa individë abuzivë. Sot ekziston një Agjenci Shtetërore e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, (AMSHC), e cila mbështet me fondet e qeverisë shqiptare të gjitha ato organizata që paraqesin projekte serioze në dobi të grupeve që përfaqësojnë. Atëherë, pyetja që shtrohet sot është se, përse shteti çdo vit duhet të nxjerrë nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë një tjetër fond prej 30.000.000 lekë të vjetra që adresohet në mënyrë të gabuar drejt një shoqate jo efiçente e cila për hir të së vërtetës, në këto 22 vite të ekzistencës së saj nuk ka qenë asnjëherë produktive në politikat mbështetëse dhe integruese për shtresën e jetimëve…!? Këto fonde nuk duhen deleguar drejt një shoqate që në fund të fundit është një operator privat që nuk është në juridiksionin administrativ të shtetit, por këto fonde duhet të orientohen në programet mbështetëse drejt grupeve sociale të interesit, në komunitet, në qendra rezidenciale shtetërore që e gëzojnë këtë status. Mendoj se i ka kaluar koha valëvitjes spekulative të kartës sociale të «mëshirës» nga individë dhe matrapazë që prej 22 vjetësh kanë luajtur në mënyrë abuzive dhe të shëmtuar me ndjeshmërinë e shtetit dhe të shoqërisë në lidhje me jetimët. Sipas ligjit, fëmijët me statusin e jetimit përfitojnë 100% rimbursim të recetës shëndetësore, shërbime falas në udhëtimet urbane, dhe me 50 % në ato interurbane, frekuentim falas ose me 50 % të veprimtarive artistike dhe kulturore etj. Por, praktikisht ata janë plotësisht të përjashtuar nga shërbimet sociale, siç janë shkollimi me bursë falas, trajtimi shëndetësor me vizita falas, punësimi, strehimi, etj, sepse aktualisht «Ligji për Statusin e Jetimit» është i pazbatueshëm në kuadrin e decentralizimit të këtyre shërbimeve që ofrohen për këtë grup social.

FLAS SHQIP: Në këto kushte, sipas mendimit tuaj, cilat do të ishin politikat sociale që duhen ndjekur në ndihmë të integrimit në shoqëri të fëmijëve jetimë?

ÇUMANI: Sipas meje, nevojiten disa reforma në të gjithë institucionet e shërbimeve rezidenciale dhe komunitare për fëmijët jetimë. Duhet të përmirësohet cilësia dhe niveli i kuadrove dhe i specialistëve multidisiplinar që ofrojnë shërbimet, në mënyrë që kur këta fëmijë të dalin nga institucionet ku kanë qëndruar deri në moshën 16 vjeç, të jenë sa më të gatshëm të përballojnë sfidat e jetës dhe të mos bien pre e situatave të ndryshme keqbërëse që i viktimizojnë ata. Duhet sidomos t`i vihet theks i veçantë kuadrit ligjor që ka të bëjë me kujdesin ndaj fëmijëve jetimë biologjikë dhe atyre që vijnë nga familjet me probleme sociale. Fëmijët nga familje me probleme sociale janë me prindër, por në fakt, janë edhe jashtë kujdesit të tyre prindëror si pasojë e varfërisë, papunësisë, problemeve të shëndetit, divorceve, dhunës në familje, etj. Nga numri i përgjithshëm i fëmijëve jetimë, 18 % e tyre janë fëmijë jetimë biologjikë dhe pjesa tjetër e tyre janë fëmijë me probleme sociale. Nevojitet kuadër i ri ligjor që t’ju vijë në mbrojtje dhe t`i ndihmojë të dyja këto kategori në mënyrë të barabartë. Gjithashtu, duhet hapur dhe zgjeruar rrjeti i qëndrave rezidenciale rinore, i mbështetjes dhe shërbimeve në komunitet në disa qytete kryesore të vendit për fëmijët dhe të rinjtë jetimë të moshës 16-22 vjeç. Hapja e këtyre qendrave do ndihmojë dhe zbusë ndjeshëm problemet sociale me të cilat ata ndeshen kur dalin prej tyre. Kësisoj, ata do mund ta përballojnë më lehtë jetën dhe do të integrohen më mirë dhe më shpejt në shoqëri.

FLAS SHQIP: A mund të na rendisni aktualisht institucionet kryesore përgjegjëse pë këtë kategori sociale dhe në ç’nivel është bashkëpunimi institutit që ju drejtoni juaj me to? Në drejtim të cilës problematikë duhet të fokusohet veprimtaria e tyre?

ÇUMANI: Janë disa institucione të rëndësishme me të cilat Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë ka një bashkëpunim të frytshëm, ndër të cilat rendis Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Shërbimin Social Shtetëror, Avokatin e Popullit, qendrat rezidenciale shtetërore dhe ato joqeveritare, qendrat komunitare, Komitetin Shqiptar të Birësimit, dikasteret e të gjitha niveleve të pushtetit qendror dhe atyre lokal, etj. Siç e thashë qysh në hyrje, problemi që meriton fokus është zbatimi i politikave të decentralizimit të shërbimeve sociale, pasi pushteti lokal shpesh herë mbetet inekzistent në zbatimin e këtyre politikave mbrojtëse e mbështetëse në favor të fëmijëve jetimë. Unë e përsëris edhe njëherë apelin tim për kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe kryeparlamentarin Z. Ilir Meta në lidhje me fondet që jepen çdo vit në mënyrë të gabuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për shoqatën e jetimëve, e cila në fakt, është një organizatë si të gjitha shoqatat e tjera joqeveritare që merren me jetimët sot në Shqipëri ( janë 26 të tilla gjithsej). Ka ardhur koha që këto fonde urgjentisht duhet të ndërpriten, pasi kjo shoqatë tashmë duhet të mbështetet nga Enti shtetëror buxhetor AMSHC në një konkurim të ndershëm dhe me kushte të barabarta me organizatat e tjera të jetimëve, me projekte të qarta dhe të besueshme në dobi të tyre. Nuk mund të vazhdohet më me praktikat e vjetëruara, me manipulimin e fenomenit të mjerimit social, lypsarisë dhe mëshirës, ku në më shumë se dy dekada, krahas shumë organizatave serioze që japin një kontribut të çmuar për jetimët siç është «UNICEF», «Save Children», Fshati «SOS», «Bethania», «Shpresë për Botën», «Kryqi i Kuq», «Caritasi Shqiptar», fondacione të vëndeve mike Arabe në vendin tonë, etj, të cilat meritojnë mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal, ka edhe shoqata të tilla parazitare, pa background, pa asnjë rezultat pritshmërie për grupin e interesit, (siç janë jetimët), që nuk japin, por vetëm marrin dhe subvencionohen aksidentalisht nga shteti ynë «zemërgjerë» dhe i «dhembshur», ndonjëherë edhe në këmbim të heshtjes, të mbulimit të realitetit tragjik, për të mos deklaruar dhe për të mos u ballafaquar me gjendjen reale e të vështirë të fëmijëve dhe të rinjve jetimë sot anë e mbanë Shqipërisë. Situata bëhet edhe më e rëndë, kur bëhen lojra të shëmtuara politike nga disa matrapazë, shërbëtorë e sahanlëpirës partiaë me tesër partie në xhep, të identifikuar tashmë si të tillë edhe në opinionin e gjerë publik, të cilët, pretendojnë se i përfaqësojnë jetimët, ashtu siç ka ndodhur rëndomë në gjithë këto vite nëpër fushata elektorale, duke i përdorë këta fëmijë për kapital politik, për llogari të X apo Y force politike, për qëllime të ulëta të përfitimit po nga këta individë spekulantë. Kjo është një çështje tepër serioze që lidhet me abuzimet e shumta që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin ende në kurriz të fëmijëve jetimë,  si nga disa institucione  shtetërore, ashtu dhe  nga individë që kanë penetruar dhe vegjetuar tinëzisht, në mënyrë të rafinuar dhe të pashpirt brenda Shoqërisë Civile nën petktun  e «misionarit të bamirësisë» në «ndihmë të jetimëve». T¸e mos harrojmë që Fëmijët jetimë sot janë të rrezikuar edhe nga elementë perversë e pedofilë të infiltruar në shoqërinë civile, të cilët, sapo legalizojnë një pseudoshoqatë fantazmë me një vendim gjykate nisin të lëvrijnë skutave të errëta të mashtrimit me vese e sjellje antisociale duke viktimizuar pikërisht këtë kategori të dobët dhe të pambrojtur të shoqërisë. Këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre,  me sjelljet e tyre të hapura, spekulative dhe abuzive,  i kanë sjellë  një kosto të lartë dhe dëm të konsiderueshëm integrimit dhe kauzës së fëmijëve jetimë. Ky realitet është sa i dhimbshëm, aq edhe tragjik, ndaj gjithashtu i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Z. Adriatik Llalla dhe Avokatit të Popullit, Z. Igli Totozani të hetojnë në thellësi dhe në gjerësi situatën dhe të trajtojnë seriozisht jo vetëm çështjen e fëmijëve romë, por edhe çështjen e fëmijëve jetimë të abuzuar, pasi jetimët në Shqipëri janë shumë herë më të rrezikuar dhe të viktimizuar nga çdo grup tjetër shoqëror.