Rreth 70 vjetorit të Çlirimit

Intervistë me kreun e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Muzafer Korkuti dhënë “Gazetës Shqiptare”

Profesor, një konferencë për 70-vjetorin e Çlirimit në kulmin e debateve, përse?
Konferenca do t’i kushtohet 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, sepse ajo është ngjarje madhore në historinë e popullit tonë. Ajo organizohet me bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit e Sporteve. Mbahet të enjten më 27 nëntor dhe është konferencë shkencore ndërkombëtare që i kushtohet 70-vjetorit të Çlirimit si ngjarje e rëndësishme kombëtare, ku përveç studiuesve nga Shqipëria, do të marrin pjesë studiues nga Kosova SHBA dhe Rusia.
Cilat janë temat për të cilat referojnë pjesëmarrësit?
Në bazë të referateve do të jetë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë, e cila u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore. Ajo është një nga luftërat më të mëdha e më të suksesshme që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre.
Ka debate mbi luftën dhe atë çfarë solli ajo. Ju si e shihni?
Lufta Nacionalçlirimtare është një lëvizje me rëndësi historike në jetën e kombit shqiptar, sepse çliroi vendin nga pushtuesit dhe e radhiti Shqipërinë në krahun e fitimtarëve. Si rrjedhojë, ajo u bë kapital në mbrojtje të integritetit territorial të shtetit shqiptar të paraluftës, e thënë më shkoqur, Konferenca e Paqes e Parisit më 1946 pranoi Shqipërinë si aleate të Frontit Antifashist dhe shpëtoi atë nga copëtimi. Është fakt i njohur e i pranuar botërisht se detyra parësore e strategjike e të gjithë popujve e kombeve të bashkuara në një aleancë të gjerë gjatë Luftës II Botërore ishte antifashizmi edhe shqiptarët qysh në fillim u rreshtuan në anën e duhur, duke pasur si objektiv të dorës së parë çlirimin e vendit nga pushtuesit, lufta e tyre ishte një luftë çlirimtare, kombëtare dhe antifashiste.
Pritet të ketë risi nga kumtesat?
Është rasti që në këtë jubile, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore të rishkruhet e parë në distancën e 70 viteve, në dritën e dokumenteve të reja arkivore vendase e të huaja, mbështetur edhe në studime të thelluara monografike, botime dokumentesh kushtuar kësaj periudhe, disa prej të cilave janë vënë në qarkullim këto ditë si “Lufta Nacionalçlirimtare apo civile” e prof. Xhelal Gjeçovit, “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, të prof. Paskal Milos, “Jeta e një historiani” e prof. Kristo Frashërit etj. Në referatet e kolegëve do të ketë këndvështrime e prurje të reja për karakterin dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje të madhe të historisë së Shqipërisë.
Pra, do të flitet për edhe temat e debatuara, për të cilat ka mendime krejt të kundërta, qoftë edhe për atë që solli lufta pas përfundimit, regjimin?
Konferenca do të trajtojë çështje thelbësore të debatit historik të karakterit të luftës, do të trajtojë rolin e forcave të ndryshme politike pjesëmarrëse, do trajtojë ndryshimet që solli ajo si katalizator social në gjirin e shoqërisë shqiptare dhe produkt i këtij ndryshimi, ashtu si edhe do të ketë referate mbi përballjen e rezistencës me kolaboracionin, por edhe për marrëdhëniet e tyre me fuqitë e mëdha. Pos këtyre, do të flitet për antifashizmin si vlerë universale e shekullit që shkoi dhe alternativë e perspektivës historike të kombit shqiptar. Në përgjigje të pyetjes suaj, dëshiroj të nënvizoj se të gjitha këto çështje do të vështrohen e trajtohen në kontekstin historik të viteve të Luftës së Dytë Botërore, duke e veçuar qartazi nga periudha e pas luftës, në të kundërt do të binim në antihistorizëm – kundërhistori.
Edhe pse ka mendime se ‘lufta ishte përgjegjëse’ për sistemin që u instalua pas çlirimit?
Në historinë mijëravjeçare të trojeve shqiptare, sipas prof. Aleks Budës, kanë shkelur si pushtues rreth 60 ushtri të huaja. 70 vjet më parë, më 29 nëntor 1944 mori fund përgjithmonë historia e pushtimeve të Shqipërisë, ndaj kjo datë që shënoi çlirimin e vendit nga fashistët, shpëtoi copëtimin e Shqipërisë dhe siguroi integritetin e saj, është një datë historike e patjetërsueshme, që së bashku me 28 nëntorin e vitit 1912 – ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përbëjnë dy data madhore të historisë sonë kombëtare që do të kujtohen, vlerësohen e nderohen në shekuj.
Profesor, së fundmi, gjithnjë e më shumë po thuhet që ky 70-vjetor po ‘ringjall’ nostalgjikët për Enver Hoxhën dhe po e rehabiliton figurën e tij. Cili është mendimi juaj?
Lufta ishte çlirimtare dhe kombëtare. Nëse do ishim rreshtuar me palën tjetër, Shqipëria nuk do ishte kjo që është. Nga kjo konferencë ne duam të dimë çfarë ndodhi në luftë, cilat ishin qëllimet e shteteve të tjera dhe sa do humbisnim nëse nuk ishim rreshtuar në këtë anë. Nuk jam i mendimit që aktivitetet për 70-vjetorin e çlirimit po përdoren për rehabilitimin e Enver Hoxhës, asnjë nga këto aktivitete nuk ka të bëjë me të.
Kemi në konferencë, pikëpamje të ndryshme, pro e kundra për atë që ndodhi në vitet 1939-1944, ne nuk merremi dhe nuk gjykojmë me atë që ndodhi pas vitit 1944, por para tij. Qëndrime të tjera janë antihistorizëm. Ju thashë edhe më lart se veçohemi qartazi nga periudha e pas luftës, pasi në të kundërt do të binim në kundërhistori. Ne vlerësojmë atë që ndodhi deri më 29 nëntor 1944 dhe nuk mund të gjykojmë atë që u bë mbrapa, pasi po e bëmë, nuk është më histori, por gazetari.
Kush merr pjesë në konferencë?
Do të ketë kumtesa nga: akademik Kristo Frashëri “Lufta Nacionalçlirimtare Shqiptare e parë sot (pas 70 vjetësh)”, prof. Xhelal Gjeçovi “Luftë nacionalçlirimtare apo luftë civile”, prof. Bernd Fischer(SHBA) “Gjermanët në Shqipëri në 1943-1944 (një vlerësim)”, prof. Paskal Milo “Shqipëria dhe Kombet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore”, prof. Pëllumb Xhufi “Shqipëria e Vjetër dhe Shqipëria e Re në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, prof. Peter Lucas (SHBA) “Pjesëmarrja amerikane në luftën e popullit shqiptar për çlirim nga pushtimi fashist”, dr. Isber Hoti (Kosovë) “Shqipëria dhe Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore”, akad. as. Marenglen Verli “Antifashizmi – alternativë e perspektivë në vitet e Luftës së Dytë Botërore” dhe akademik Vasil Tole, “Trashë-gimia muzikore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.