Pandeli Majko: S’e pëlqej fjalën kosovar, ata janë shqiptarë

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko thotë se nuk i pëlqen termi i përdorur kosovar kur flitet për qytetarët e Kosovës pasi të gjithë janë shqiptarë. Majko ka folur edhe për kohë kur ishte në studime dhe ofertën për t’u bërë pjesë e Partisë Demokratike. Përveç angazhimeve në studimet, Majko thotë se nuk u bë pjesë e PD’së për shkak se babain e kishte komunistë. Majko ka folur edhe se si kishte hyrë në PS, për kohën kur ishte Kryeministër….

Gazeta DITA, Tiranë

Zoti Majko, u mbushën plot 24 vjet nga dita kur nisi ajo që ka hyrë tashmë në histori si Lëvizja Studentore e Dhjetorit. Ju kini qenë ndër pjesëmarrësit e spikatur të asaj Lëvizjeje. Ç’është për ju sot ajo Lëvizje dhe aspirata që shpalosi në atë kohë?

– Lëvizja e Dhjetorit ka qenë shansi i fundit i një historie të drobitur shqiptare. Ajo ka pasur brenda saj disa “jetë” por që marrëdhëniet me lirinë e shpëtuan. Levizja e dhjetorit është bashkimi i rrethanës dhe rastësisë kundër manipulimit dhe kodoshllëkut të kohës kur ajo nisi.

Të mos harrojmë se konteksti social i nisjes së Lëvizjes Studentore ishte një shoqëri që kishte rënë në grackën e historisë… Ajo që po përplasej në Shqipërinë e kohës për të majtët ishte dramë, për të tjerët ishte mungesë shprese dhe për disa të tjerë edhe më keq. Në fakt, më e keqja po ndodhte pa u ndjerë. Po vdisnim duke qenë të gjallë. Kjo e fundit është e lehtë për t’u thënë por e vështirë për t’u shpjeguar… Lëviz diku midis fjalës “moral” dhe pamundësisë për të menduar për të nesërmen. Veç ndihej nga të gjithë. Edhe kur nuk thuhej.

– Nga ajo Lëvizje lindi partia e parë opozitare në Shqipëri pas gjysmë shekulli, Partia Demokratike. Çfarë ju pengoi apo stepi që të mos bëheshit pjesë e asaj partie?

– Nuk doja dhe pikë. Isha i fejuar dhe gjërat i shikoja të lidhura me familjen. Në atë kohë studioja në degën Inxhinierisë Mekanike që ishte shkolla më e ashpër e vendit për nga ngarkesa mësimore. Të marrurit me politikë me dukej një “komoditet” që nuk mund ta gëzoja… Kjo që po them ishte vendimi im pasi PD ishte krijuar. Më erdhën mjaft shokë që më nxitën të angazhohesha, por përgjigja ime ishte e shkurtër: “Jo!” …Me ata që kisha konfidencë ju shtoja jo pa dëshpërim se im atë ishte komunist dhe mua nuk më shkonte të bërtisja nga mëngjesi në darkë kundër tyre…

Në Shqipëri ngjarjet në vitin e mjegullt 1990 kishin “vrapuar” rrëmujshëm. Hapja e ambasadave kishte krijuar ilaritet. Shoqëria jetonte frikën e vet të edukuar nga qeverisja e gjatë e komunistëve. Në fakultet profesorët tanë hijerëndë të Inxhinierisë nuk ja thoshin shumë në të shpjeguarit e politikës së ditës… Por duket se me urdhër në orët e seminarit u zhvilluan mbledhjet të “orkestruara” për të dhënë e marrë opinione për “njerëzit e ambasadave” qe sapo ishin larguar jashtë vendit… Në klasë ra heshtje kur profesori e hapi këtë temë. Në bankën pas meje ishte ulur një shok i imi nga Durrësi, më i miri i inxhinierisë… Dhjetën e merrja edhe unë, por e tija ishte ndryshe. Ishte i lindur për atë profesion. Kur u ktheva e pash të zbardhur në fytyrë dhe u rrafshua në tavolinë. I vëllai i tij ishte me të larguarit e ambasadës. Priste edhe përjashtimin nga shkolla… ishte “normë” e kohës. Në një moment kërkova fjalën dhe i dhashë pak gojës duke thënë se faji i largimit të njerëzve nuk duhet parë veç tek ata… Profesori na shikonte mendueshëm, mbajti shënime dhe ne fund kërkoi që të zgjidhej sekretari i rinisë. I pari që e kërkoi fjalën ishte shoku im me “cen” në biografi që më propozoi mua… Kur e pyeta pse ma bëri këtë “nder” ishte e qartë se me mua ndihej i mbrojtur. Në radhët e “mekaniksave” lojrat me politikë nuk pëlqeheshin. Quhej kohë e harxhuar dhe ne kohën e kishim si uji në shkretëtirën e ngarkesës me mësime. Por ja që zgjedhja si sekretar i grupit kishte “detyrime”. Nëna ime ishte sekretare në Fakultet dhe më thirri në mbarimin e orëve të mësimit e shqetësuar. Duhet të shkoja në mbledhjen rinisë së fakultetit se do zhvilloheshin zgjedhjet. Isha i këputur ndaj refuzova. Kur zëri i sime meje u ngrit me dëshpërim se po e “turpëroja”… Ula kokën dhe me mërzi shkova në sallë. Mbledhja ishte masive pasi në fakultet studionin 2300 veta. Sekretarët e partisë dhe ai i universitetit ngriheshin me radhë me një formalitet cfilitës. Në një moment diskutimi kërkova fjalën dhe ashtu i mllefosur i kthehem sallës dhe them “Deri kur do i lejojmë komunistët të na marrin për dore…” Ra një heshtje e thellë. E vetmja gjë që mendova ishte “E hëngra!”… Fati im ishte sekretari i partisë së universitetit që, i hutuar lëshoi shprehjen “Po, kemi qenë të detyruar…!” Pas kësaj ndjeja brrylat e studentëve, me këmbë dhe me dorë, që më uronin pa fjalë. Isha “krenar” dhe i merakosur se kisha lëshuar një “fjalë” qe nuk e di ku më shpinte. Kur filloi procesi i zgjedhjes për drejtimin e fakultetit, sekretari partisë lexoi emrat e përzgjedhur për votim. Nga salla u ngritën dhe më propozuan mua. Më i habitur se sekretarët e partisë isha unë që dola nga mbledhja sekretar i rinisë së Fakultetit. Nëna ime u shastis kur e mori vesh dhe pyeti me zë të ulët “Ore tallesh ti?!”…

– Është përmendur herë pas here një fletë-rrufe që ju i kini vënë ish-Kryeministrit të asaj kohe, Adil Çarçanit. Mund të na tregoni sot se si është puna e asaj fletërrufeje?

– Po… Fakultetin e doja dhe më donte. Kisha respektin e pedagogëve. Në muajin nëntor shkova tek një pedagog dhe i kërkova të më ndihmonte për të shtypur në kompjuterin e tij një “letër të hapur” për kryeministrin e vendit, Adil Çarçanin. E kisha shkruar vetë. Letra do të bëhej në emër të Komitetit të Rinisë së Fakultetit…

Politika më ka pëlqyer dhe rregullat e saj i ndjeja, edhe kur nuk i kuptoja. Vendosa t’i drejtohem “ekzekutivit” dhe jo partisë. Doja të krijoja një sinjal jashtë sistemit partiak. Si rregull, duhej t’i shkruanim Ramiz Alisë që ishte në një protagonizëm për “ndryshim” dhe që nuk po prodhonte asgjë mbi ngrehinën politike të kohës. Por jo! Kaq e kuptoja dhe padashje kisha futur një “gozhdë” në mekanizmin e kohës… Letra ra si “bombë”. E ngjita në hyrje të fakultetit dhe ajo u kthye në një vend “pelegrinazhi” për njerëzit që vinin ta lexonin… Shkova tek “Zëri i Popullit” që kishte botuar shkrimet e guximshme të Ylli Popës dhe Sali Berishës, por aty më panë mua dhe shokët që më shoqëronin si “alienë” të ndonjë planeti tjetër… Nuk e botuan!

Adil Çarçani na u përgjigj dhe pranoi të na takonte. Shkova klasë më klasë të fakultetit dhe fillova përgatitjen për takimin. Po përgatisnim një “bombë” por që nuk dihej si do i vente filli. Papritur dhe pa na lajmëruar kryeministri shkon një mbasdite vonë në konviktin e vajzave të fakultetit. Kaq u desh dhe aty “plasi” debati… Siç më thanë ishte një bisedë ku nuk munguan përplasjet. Lajmi për vizitën e frikësuar të kryeministrit në Qytetin Studenti u përhap si rrufe. Na kishte “rrëshkitur” dhe kishte vajtur të takonte vajzat… Në darkë në konviktin e studentëve të fakultetit tim, “elektriksit” morën një krevat sustë dhe bënë “lidhjen” e sistemit… Transformatori plasi dhe dritat ikën. Pas kësaj filloi ajo që quhej Lëvizja e Dhjetorit 1990. Në përfaqësinë e dhjetorit unë mora pjesë falë këmbënguljes së shokëve të mi, sidomos të “elektriksave”.

Isha në Pallatin e Brigadave, por shikoja me kujdes. E gjitha dukej si histori dhe lojë po ashtu. Ishte historike pasi dukej qartë që po fillonte një kohë e re për vendin. Ishte pak “lojë” pasi ishim ulur përballë regjimit… Në karriget tona duhet të ishin ulur të tjerë, por që ishin veç “hije” pasi ose ishin vrarë ose ishin në burgje dhe kampe përqendrimi. Lëvizja demokratike në Shqipëri u zhvillua duke i pasur protagonistët e lirisë në burgje. Amnistia erdhi më vonë. “Torta” e politikës ishte ndarë. Vendosa të mos flas në emër të të tjerëve, por të asaj që besoja. Pasi ngrita dorën për krijimin e PD-së shkova të vazhdoja studimet. Detyrën time e quajta të mbaruar. Por, ja që nuk ishte ashtu…

– Dhe ju u bashkuat me Partinë Socialiste…? Pse?

– Fakulteti im ishte mbyllur pas rrëzimit të statujës së Hoxhës. Kisha filluar punë në bazën prodhuese ngjitur me të dhe ndiqja në distancë rrëmujën e politikës. Një ditë më vjen një student i elektrikes që dikur kishte “përveshur” krahët kur diskutohej emri im në Lëvizjen Studentore. Quhej Ilir Zela. Më propozoi të shkonim dhe të takonim Namik Doklen (ishin kuksianë dhe njiheshin) tek Partia Socialiste. Kjo e fundit sapo ishte krijuar mbi ngrehinën e Partisë së Punës. U ngurosa në fillim. Doja të refuzoja por ia kisha borxh. Pranova me idenë “shif dhe bëj”… Kur hyra në godinë m’u duk se “tradhtova” gjithçka. Por, jo! Pas takimit me Namikun erdhi një takim tjetër me Fatosin, Maqon, Servetin, Ermelindën, Ethemin… Kishin ngelur aty në një godinë bosh dhe kishin veç njëri-tjetrin për të bërë atë që bënë më vonë. Ishte operacioni social më i vështirë në postkomunizëm dhe që ndryshoi partinë më konservatore të lindjes ish-komuniste në një parti perëndimore.

Kur të rinjtë e “rilindjes” më pyesin sot se si ka qenë partia dikur… iu them shkurt: “Imagjinoni një parti ku më rebeli isha… unë!” Thuajse padashje bashkë me Ilir Metën, Ilir Zelën, Ndre Legisin dhe Monikën sollëm Lëvizjen Studentore në kampin e majtë. Krijuam me një pavarësi kokëfortë Forumin e Rinisë Eurosocialiste duke e bërë atë më të fuqishmin dhe më të organizuarin në vend. Hymë në parlament si deputetë të së majtës por u ulëm në karrige që i meritonim dhe përfaqësonim veten dhe të tjerët. Nuk jam penduar aspak. Përkundrazi.

Po e vutë re në “listën e atyre” që gjeta në PS mungon emri i Gramoz Ruçit. Me të s’i kisha mirë “pipëzat” nga fillimi, por jo për shkak të sjelljes së tij se sa times. Tani erdhi koha që Gramozi kur pimë kafe thotë edhe shprehjen “ne të vjetrit…” dhe mua më kap gazi… Po nuk kam çfarë të them! E kujt ia merrte mendja se unë që dyshohesha rëndom për “tradhti” dhe i dekoruar si “Pishtar i Demokracisë” do të bëhesha i “vjetër” në historinë e një të majte, historinë e së cilës do e kishin zili edhe dramat shekspiriane. Tek e fundit, është shtëpia dhe familja ime politike që nuk e ndërroj me asgjë.

– Shumëkush mendoi se ëndrra idealiste e studentëve të Dhjetorit u zbeh shumë shpejt. Edhe ju shpesh kini qenë tepër kritik me regjimin që erdhi pas 22 marsit 1992. Pse ndodhi kjo zbehje?

– Kjo është drama e Partisë Demokratike, por jo e Lëvizjes Studentore. Ajo, Lëvizja, e kreu detyrën e saj si një dashuri në kohë kolere. Ja dha me butësi dhe dashuri e besim të gjithë autoritetin e saj publik partisë së parë opozitare. Djemtë dhe vajzat e saj u shpërndanë si frymë e një ndryshimi dhe nuk u morën me “plaçkën” e fitores. PD-ja ka patur një druajtje të pashpjegueshme karshi një Lëvizjeje të rinjsh që thjesht bënë detyrën përpara kombit dhe historisë. Thënë ndryshe “magjia” e saj i ngjan shkëndijës në asgjë që krijoi botën e lirisë.

Lëvizja Studentore në këndvështrimin historik duhej të ishte për të djathtën njëlloj si fondamenti i LANÇ-it për të majtën, pasi në thelb që të dyja janë lëvizje të rinjsh në kushte të ndryshme, sigurisht.

Në Shqipëri konflikti i brezave ka prodhuar më shumë politikë se sa duhet si pasojë e “statuskuove” të lodhura të brezit më të vjetër. Kjo është e mirë dhe e keqe pasi në historinë tonë kombëtare evolucioni ka ndodhur me “shpërthime” duke nxjerrë në skenë politikanë të rinj në moshë dhe që për arsye të ndryshme kanë bërë gabime e faje edhe për këtë arsye. Ahmet Zogu doli nga konflikti me elitën e sfilitur turkoshake. Enver Hoxha mbijetoi nga diskreditimi i një pjese të elitës së vjetër politike nga kolaboracionizmi i Luftës së Dytë.

Në fenomenet e politikës aktuale ngatërrohet perceptimi me përmbajtjen që do të thotë mosha e re me risinë politike. Liderët po tentojnë teknologjinë e “pemishtes” së të rinjve e cila rrezikon ta vrasë politikën. Politikanët i prodhon koha dhe jo lideri.

Kjo që po ndodh aktualisht në Partinë Demokratike për mua është një “ndjenjë” që e kam provuar dikur. Të ulurit në karrigen që nuk të takon është një fenomen që nisi në gjenezë dhe po vazhdon edhe aktualisht tek e djathta politike. Nëse PD-ja do të ishte investuar të orientohej nga shtresat e veta, të profilit të saj politik, sot ajo do të ishte një dinozaur i frikshëm. Por, jo! Aty gjen një tufë majtistësh që kujton se i bën të djathtë lufta politike me Partinë Socialiste. Kjo e bën debatin politik në Shqipëri si “sherrin” midis origjinales dhe kopjes. Sjellja politike e së djathtës po mbështetet gjithmonë e më shumë tek të qenit kolektor i pakënaqësive sociale se sa tek përfaqësimi social dhe pamje e një garanti hijerëndë ndaj frikës njerëzore për të ardhmen.

– Ju arritët të bëheshit edhe Kryeministër i Shqipërisë, madje në një periudhë shumë të vështirë sikurse ishte lufta për çlirimin e Kosovës. Kam takuar shumë kosovarë që flasin me shumë respekt për ju. A ju kishte shkuar në mend në dhjetor të ’90-s se do të ngjiteshit aq lart?

– (Qesh) Sigurisht që jo! Marrëdhënia ime me politikën ka qenë dhe mbetet e komplikuar sepse i ka të dyja ndjenjat, dashurinë dhe urrejtjen.

Kur flasim për Kosovën unë nuk e pëlqej shprehjen “kosovar” sepse ata janë pjesë e jona. Thjesht, janë shqiptarë. Në qenien time Kosova ka ridimensionuar fjalën “atdhe”… Unë nuk jetoj dot pa të brenda meje… Kur kujtoj të kaluarën, kuptoj tragjedinë kombëtare dhe ndihem me fat për kohën që jetoj.

– Sidoqoftë, me ndryshimet që kanë ndodhur në këto vite, e shikoni të realizuar apo të tradhtuar idealin e dhjetoristëve ’90?

– Shikoni! Lëvizja e Dhjetorit nuk është dhe nuk ka për të qenë, për shumë arsye, një lëvizje për të cilën do të gjeni “veteranë” që të flasin si kompetentë të idealeve të saj… Lëvizja e Dhjetorit është dhe ka për të qenë e fuqishme si ide pikërisht për “dobësinë” e saj. Lëvizja përfaqësonte djem dhe vajza që bënë detyrën karshi një atdheu dhe shoqërie të mbetur pa gojë dhe në një udhëkryq ku po prekej mizerabiliteti ekonomik. Kjo Lëvizje nuk nxiti shoqërinë shqiptare të tejkalonte veten dhe dobësitë e saj. Ajo thjesht i pohoi ato dobësi me dhembshuri dhe i tha një brezi jakobinësh të plakur në pushtet duke vrarë të tjerët dhe të vetët: “Koha juaj mbaroi! Shkoni në shtëpi!” Mos harrojmë se komunistët u mblodhën në dhjetor dhe u diskutua edhe ndërhyrja me forcë në qytetin Studenti, por zërat brenda tyre ishin të fortë edhe me pyetjen: “Do vrasim djemtë dhe vajzat tona!?” Në Ministrinë e Mbrojtjes u shpërndanë armët. Im atë nuk pranoi ta merrte. Komunistët u dorëzuan pasi përballë, në shumicë, kishin fëmijët e tyre. Ata ishin të lodhur nga koha dhe vetja…

Kujtimi i Lëvizjes së Dhjetorit është një reflektim për marrëdhëniet me lirinë që për shoqërinë shqiptare nuk është e vjetër. Ajo ka të rrënjosur shembullin e aktit të një brezi që kupton kohën që jeton.

– E megjithatë ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni shumë kritik me trashëgiminë e Enver Hoxhës. A është koha për një rivlerësim edhe të figurës së tij, në fund të fundit ka qenë udhëheqësi kryesor i luftës antifashiste nacionalçlirimtare që ju si forcë politike e mbroni?

– Fakti që ne vazhdojmë ta diskutojmë këtë çështje dhe në këtë mënyrë, tregon se sa pak kemi bërë në këtë drejtim. Historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet ende një histori e “pashkruar” për shkaqe që varen dhe nuk varen nga ne. Historia jonë nuk është vetëm historia e drejtuesve të saj, por edhe historia e komplikuar e një kombi me fuqitë dhe fqinjët e tij. Enver Hoxha është një drejtues komod i dobësive tona kombëtare, sepse mbi to dhe me to ai, diku me instinkt dhe diku me zgjuarsi, ja doli që ta qeverisë vendin. Ai është i pashmangshëm nga trajtimet e historisë sonë dhe është produkt i rrethanave të saj në Luftën e Dytë dhe pas saj. Ajo që më shqetëson është trajtimi naiv i figurës së tij që shpallet ose një gjakatar homoseksual ose një personalitet i historisë. Kam qenë lexues i rregullt i librave të tij dikur në rininë time parapolitike, dhe po ju them se Hoxha është më i komplikuar se sa duket. Profili i tij politik është edhe produkt i tre miqësive me Beogradin, Moskën dhe Kinën dhe ku ai i mbijetoi prishjes me secilën. Hoxha nuk ka qenë idiot, por padyshim drama jonë kombëtare me të është se ai arriti që gjithë inteligjencën kombëtare ta barazojë me inteligjencën e vet personale. Një dramë e cila kishte filluar para tij dhe ka lënë hijen edhe pas tij, në historinë tonë kombëtare. Mendoj se do të jetë vështirë që ai të analizohet nëse nuk i pohohen ato që mund t’i konsiderohen pozitive në aktet që ai ka prodhuar në veprimtarinë e vet. LANÇ-i nuk është vepër personale e Enver Hoxhës, por ai është pjesë e padiskutueshme e kësaj lufte. Vlerësimet për aktet e tij gjatë LANÇ, në Konferencën e Parisit apo në disa suksese të regjimit të tij pas çlirimit nuk mund ta shfajësojnë apo ta ndriçojnë atë rrugëtim në të cilin ai futi kombin. Ai nuk ka asnjë mundësi justifikimi kur “teknikisht” pjesa më e madhe e atij brezi drejtuesish që nxori Lufta Nacional Çlirimtare ose u vranë, ose u burgosën ose u shmangën duke e lënë vendin në duart e një tufe njerëzish pa personalitet dhe produkt të interesave të familjes së vet. Dhe të mendosh që pas çlirimit, Partia Komuniste e Shqipërisë nga pikëpamja e shkollimit të drejtuesve të saj ishte më perëndimorja në gjithë lindjen komuniste. Enver Hoxha në këtë kuptim, është ende “gjallë” me dobësitë e veta, dhe na ironizon me mënyrën se si përsërisim edhe atë vetë. Edhe sot.

– Kur përballeni aktualisht me ish-studentët e dhjetorit që janë rreshtuar në kampin demokrat të politikës, i adhuroni apo ju vjen keq për ta?

– Asnjërën nga të dyja. Unë i konsideroj miq dhe shokë të gjithë. E vuaj sipas mënyrës sime distancën me një pjesë të tyre, pasi janë larguar jo pak nga atdheu për në emigracion. Në 1998 kur isha në zyrën e kryeministrit, u ula në tryezën e dialogut me opozitën e kohës. Përballë kisha Sali Berishën dhe Genc Pollon. Në krah kisha Ilir Metën. Interlokutorë të takimit ishin pikërisht ish-studentët e dhjetorit… “Moj kasolle ku na mblodhe”, thotë një fjalë e urtë. Ishim aty të gjithë të lidhur me “pjesëzat” e të njëjtës Lëvizjeje që na ftonte të reflektonim pse i hymë asaj pune që quhej “politikë”… Lëvizja na ftonte të mos harronim. Dhe ashtu bëmë.

– Ç’është Partia Demokratike për ju sot, 24 vjet pas themelimit të saj?

– Jam kundërshtar politik i saj, kështu që vlerësimi im do të ishte i pasinqertë politikisht. Mos harroni, kam ngritur dorën për formimin e saj.

– Është deklaruar shpesh se një nga defektet e pluralizmit shqiptar është se ai u bë i komanduar nga ish-Partia e Punës. Thënë troç, Sali Berisha u komandua të shkonte te PD-ja dhe Fatos Nano tek PS-ja. Ju jeni i bindur për këtë?

– E vërtetë është që thuhej kështu! Por ishte humor dhe kaq!

– Është folur shumë gjatë këtyre viteve se me ëndrrën e dhjetoristëve është abuzuar shumë nga politika. Ju jeni dakord me këtë konstatim?

– “Dhjetoristët” si fenomen politik nuk janë një listë njerëzish. Përkundrazi janë kaq fluidë sa duken pak dhe në të njëjtën kohë, shumë më shumë. Ata nuk janë gra të dhunuara që reklamohen pranë tabelës “Ti nuk je për t’u shitur!” Dhjetoristët janë një brez që bëri detyrën karshi vetes dhe kohës. “Hesapi” i fundit i Lëvizjes së Dhjetorit janë spiunët… Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Nën guackën e politikës edhe sot lëviz timbri ironik i pyetjes “A ishte e gjitha çfarë ndodhi një lojë e telekomanduar spiunësh që konvertuan pushtetin e komunizmit?!”…. Përgjigja ime ka dy anë, sepse paralelisht me Lëvizjen e Dhjetorit ka pasur le ta quajmë një nëntokë të një Lëvizjeje spiunësh. Ka pasur një jetë të dyfishtë e cila rrotullohej dhe donte ta mbyste me pisllëkun e kohës atë që nisi me studentët. Kjo është arsyeja që nëse vini re në vazhdim, gjithmonë nga protagonistët e politikës që kanë pasur një lidhje morale me Lëvizjen e Dhjetorit kanë ngritur problemin e hapjes së dosjeve. Ka pasur edhe nervozizëm, pa diskutim, por dukshmëria është e qartë dhe reflektim i asaj që thashë. Spiunët janë “porosia” e fundit e Lëvizjes së Dhjetorit….

– Edhe Edi Rama, që sot e kemi Kryeministër të vendit, ka qenë në njëfarë mënyre dhjetorist, madje ndër më radikalët në atë kohë kundër ish-Partisë së Punës. A mund të thuhet se tani ai është duke punuar për ato ideale që studentët u hodhën atëherë në protesta kundër regjimit?

– Kur Ndre Legisi më foli për herë të parë për të takuar Edi Ramën… reagimi im i parë ka qenë: “Kë të takoj?! Po Edi Rama është ekstremist?!” (Qesh) E kam njohur nga larg Edin dhe më kishte lënë përshtypjen e një radikali të djathtë… Pastaj, kuptohet që u bëmë miq. “Debati” ynë vazhdon edhe tani, por në mënyra të tjera.

– Zoti Majko, si do ta vlerësonit qeverisjen aktuale të mazhorancës së majtë?

– Sot do flasim për “dhjetoristët” dhe jo “rilindasit”. (Qesh) Probleme ka sa të duash po nuk besoj se është vendi dhe koha. Kemi marrë vendin në një kohë të vështirë dhe përgjigjet teorike janë komoditet. Unë e konsideroj veten pjesë të arritjeve dhe problemeve të mazhorancës. Kur dua të flas për këto të fundit, si rregull ia them Edit dhe jo medias.

– A ka të pakënaqur brenda radhëve të PS-së ndaj qeverisjes socialiste?

– Kur të mos ketë të pakënaqur në Partinë Socialiste besoj se ajo do të jetë dita e “vdekjes” sonë politike…

– Prej disa muajsh opozita ka bojkotuar Kuvendin, ndërsa i është futur rrugës së protestave, si ju duket kjo strategji e demokratëve?

– Më duket një veprim i sforcuar që po defaktorizon grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Më shumë se “strategji” duket si taktikë krize që buron nga marrëdhëniet e brendshme në atë parti.

– Mungesa e bashkëpunimit mes palëve duket se po fut në ngërç edhe procesin elektoral të radhës, duke kujtuar që zgjedhjet lokale janë në prag?

– Zgjedhjet lokale nuk mund të konsiderohen si stacion politik për një marrëveshje politike. Duket që për momentin demokratët janë të aftë të shprehin ato që nuk duan, por jo të kundërtën. Ata duhet të dinë të kërkojnë, pasi qëndrimet e tyre politike po reduktohen në “konferenca shtypi”… Po imitojnë pjesën më të dobët të periudhës sonë të të bërit opozitë dhe kanë përballë qëndrimet e veta tetëvjeçare që kanë mbajtur për këtë logjikë politike kur ishin në pushtet. Padashur, demokratët na kanë bërë një nder që nuk shpjegohet dot politikisht. Na i kanë lënë ne të majtëve t’i bëjmë të dyja, edhe qeverisjen edhe “opozitën”. Kjo e ka reduktuar qëndrimin e partisë së dytë në vend në konceptet e shoqërisë civile…

– Zoti Majko, ju keni qenë skeptik për koalicionin me LSI-në. Tashmë, pas një viti e gjysmë qeverisjeje, si ju duket se ka funksionuar ky bashkëpunim?

– A kam qenë “skeptik”?!… Po, kam qenë! Por për të kuptuar domethënien e skepticizmit tim duhet një natë dimri. Nuk lidhet kjo me LSI-në si parti, por me marrëdhëniet e mia me Ilirin. Largimin e Metës nga Partia unë e vuajta ndryshe nga të tjerët… Që të mos zgjatem. Nuk i kemi folur njëri-tjetrit deri ditën që babai im ndërroi jetë para një viti. Iliri erdhi dhe nuk e bëri sa për të larë gojën. Nga ajo ditë marrëdhëniet tona janë konstante. Jemi rritur bashkë paçka se jemi të ndryshëm. Jemi pjesë e historisë së njëri-tjetrit. Kjo është jeta, sigurisht.