Gazeta gjermane “Bild Zeitung” alarmon për refugjatët nga Kosova

Gazeta më e madhe në Gjermani dhe në Evropë “Bild Zeitung”, në edicionin e saj të së dielës i ka kushtuar ballinën temës së azilkërkuesve nga Kosova. Fakti që kjo gazetë i është përkushtuar kësaj teme dhe jo- të themi luftës në Ukrainë apo Konferencës së Sigurisë në Munih është mjaft domethënës. Gjermania tash disa muaj po ballafaqohet me temën e azilkërkuesve dhe politikës ndaj tyre.
Ballina e Bild i cili në edicionin e së dielës shitet në 3 Milion ekzemplar shkruhet: “Ortek azilkërkuesish nga Kosova”, dhe mëpas vijhon rrëfimi për atë sesi nga 500 qytetar të Kosovës në ditë janë duke e lëshuar vendin e tyre me destinacionin kryesor Gjermaninë.
“Diplomantët kanë bërë thirrje për masa urgjente për t’i parandaluar emigrantët që të kërkojnë azil në shtetet e Evropës dhe sidomos Gjermani”, raporton kjo gazetë.
Eksodi i ikjes së shqiptarëve të Kosovës për në vendet e perëndimit ka arritur shifra alarmante, që kjo nuk mbahet mend që nga koha e represionit. Madje punë nuk ka kryer as një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ndaljen e kosovarëve që ta lëshojnë vendin.
Pos kësaj kjo gazetë në këtë edicion ka edhe komentin e ditës nga kolumnisti i saj Peter Hahne i cili kritikon politikën gjermane që s’i qaset më me shumë humanizëm kësaj teme.