Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë me Frankfurtin dhe Bremenin

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshje miqësore gjatë muajit mars, dhe atë jo një, por dy të tilla.

Nuk është Benini, as Kongo, as Xhamaika, por janë dy skuadra të mëdha gjermane, të cilat i kanë thënë ‘Po’ përfaqësueses sonë për ndeshje miqësore, transmeton Telegrafi.

Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen janë dy kundërshtarët e radhës për Kosovën, në ndeshjet që do të zhvillohet në Gjermani, pas datës 20 mars – kur janë datat e lira të FIFA-s, për miqësore.

Një burim brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, i ka konfirmuar Telegrafit se kundërshtarët e radhës janë Bremen dhe Frankfurt.

“Kosova do të luajë dy ndeshje miqësore në mars. Është shumë mirë për ne që skuadra si Eintracht Fankfurt dhe Werder Bremen kanë pranuar të luajnë miqësore me ne. Ndeshjet do të luhen në Gjermani dhe ato do të bëhen zyrtare brenda javës”, tha një burim për Telegrafin, i cili deshi të mbetej anonim.

Frankfurt është skuadër e madhe në futbollin gjerman, ku është shpallur një herë kampionë i shtetit, ndërsa ka të fituara edhe katër kupa të Gjermanisë dhe njëherë Ligën e Evropës, shkruan Telegrafi.

Ndërkohë, Bremen ka edhe më shumë trofe, pasi ka katër tituj të kampionit në Gjermani, gjashtë kupa të shtetit dhe katër superkupa. /Betim Zeqiri/Telegrafi/