PROF. DR. ZEF MIRDITA ISHTE HISTORIANI MA I MADH I POPULLIT SHQIPTAR

Nga Fritz Radovani

zef_mirditaMe daten 4 Prill 2016, Zoti thirri pranë vetes edhe Prof. Dr. Zef MIRDITEN…

Historianin ma të madh të Popullit Shqiptar në gjysen e dytë të Shek. XX…

Historia e vertetë shkencore mbylli një nder fletët ma të lavdishme të saj, me vdekjen e Këtij vigani të së vertetes së shkrueme per njëzet shekujt e Epokës së mbas Krishtit.

Pena e artë e Prof. Dr. Zef MIRDITES, nuk do të ndryshket as thehet kurrma, se Ajo penë ka lanë thesarin ma të çmueshem të identitetit tonë kombtar, të daltuem nder gurtë e Antikitetit të Ilrisë, në germadhat e Kështjellave të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, në ato fletë të lavdishme të historisë së Dardanisë, dhe të gjitha Trojeve tona ku valoi nder shekuj Flamuri ynë me Shqipen Dykrenare, nga Hoti e Gruda e deri në Çamëri!

Ty Profesor Zef Mirdita, me daten 13 Mars 1936 të ka le Nana në Prizren… E sot Prizreni nuk vajton per Ju i nderuem Profesor, se bash Ai Prizren që Ju rriti Ju, ishte dhe asht edhe sot djepi që perkundi Burrat e motit, bash Ata Shqiptarë per të cilët keni shkrue Ju!

Aty Ju thithët nektarin e ngjarjeve të mëdha të Historisë së vertetë të Shqiptarëve, dhe po Aty, ato të verteta historike u kthyen në gjakun e venave të Tua, e Ju, me dashuninë Tuej i perjetsuet nder veprat monumentale historike per me ushqye zemrat e Shqiptarëve.

Ju Profesor, i keni lanë vllazenve Tuej disa vepra me vlerë, dhe sigurisht, koha sa vjen e do ti çmojë per vertetësinë e tyne, per saktësinë e tyne, per madhështinë e paraqitjes së tyne, po mbi të gjitha per origjinalitetin e tyne të papersëritshem nder rrethanat që Ju i nderuem Profesor, i keni shkrue tue vue edhe jeten Tuej në rrezik… E pikrisht, kjo asht vlera e paster Shpirtnore që ato vepra i perjetson bashkë me Kombin Shqiptar!

Kam lexue, studjue dhe analizue mendimet Tua tek libri “Krishtenizmi nder Shqiptarë”,

dhe kushedi sa herë kam mendue sesi mbrenda një libri me 441 faqe, Ju keni paraqitë para lexuesit Shqiptar historinë e ma shumë se 2000 vjetëve të Epokës mbas Krishtit të Shqipnisë dhe Paraardhësëve të saj. Nuk do të hyj në shpjegimet historike dhe as në rrugen e reçensioneve të librit, mbasi një liber si Ky, kam besimin se duhet të jetë tashma në të gjitha shtëpijat e atyne që thonë se jemi Shqiptarë. Libri asht botue tash 18 vjetë, pra në pragun e Mijëvjeçarit të tretë, dhe asht udhrrëfyesi i çdo historiani…

Qellimi i madh i Juej Profesor i nderuem, asht me ua mësue Vëllazenëve Shqiptarë “Historinë e vet” tue u bazue në parimin shpirtnor dhe edukativ Atdhetar, të mbështetun në porosinë e Papës Leoni XIII, dhanë me daten 18 Korrik 1882, plot 134 vjetë para: “Ligji i Parë i historisë është, që mos të guxohet të thuhet diçka e rrejshme, pastaj mos të guxohet të heshtet e vërteta” (fq. 46).

E Ky ligj i nderuem Prof. Zef MIRDITA, ishte çdo shkronjë e Jueja e vume me kujdesin dhe dashuninë e pakrahasueshme nder veprat Tua Atdhetare.

Thanjet e Prof. Zefit asht mirë të lexohen dhe të mbahen mend nga shumë “prof.dr. e akademikë” që sot, nuk e kanë as guximin, as burrninë dhe as kulturen per me thanë edhe këte që asht e shkrueme në rreshtat e fundit të librit:

“Në rast se ekziston sot një territor i pavarur, i njohur nga Bota me emrin Shqipëri, një meritë e madhe për këte i takon Kishës Katolike në Shqipni dhe Klerit të Saj.”

“Shqiptarët me Skenderbeun në krye, luftuan kunder pushtuesëve osmanë. Kjo luftë kishte karakter mbrojtës, çlirimtar dhe asnjëherë fetar, siç duan t’a interpretojnë disa. Kjo luftë padyshim ka qenë dhe mbetet thelbi i nacionalizmit Shqiptar…

Besimi musliman ishte një faktor kryesorë që bëri të mundur të ruhej ndërgjegja kombëtare nder Shqiptarët e mbetur jashta kufijve…” (fq. 401).

E kur vazhdoj me kujtue fjalët mësimdhanëse të Tuat…

I Nderuem Mik besnik, Prof. Zef MIRDITA, Ju, pushoni në Paqë, se…

Edhe Rinia Shqiptare, ashtusi unë, do të ruej në zemer pergjithmonë Vepren Tande!

Melbourne, 5 Prill 2016.

 

Sot, më 4 prill 2016, në Zagreb, profesori dhe akademiku Zef Mirdita, ka kaluar në amshim. Ky lajm i hidhur e ka pikëllu botën akademike dhe kulturore shqiptare, e jo vetëm, pasi Prof. Mirdita njihet si ndër historianët më të mëdhenj që i ka pasur shkenca shqiptare. Ai do të mbetet i paharruar për shkrimet dhe librat e tij historik me kompetencë për Antikitetin, Dardaninë, historinë e vllehëve dhe krishterimin ndër shqiptarë.

Kush ishte Prof. Zef Mirdita?

Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb.

Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke. Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën “Dardanci i Dardanija u antici” (Dardanët dhe Dardania në Antikë). Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë. Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike. Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani. Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës. Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë. Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”. Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin Vlasi – starobalkansko stanovništvo od povijesne pojave do danas (Vllehët – popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot). Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër. Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj, po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare (Društvo hrvatsko-albanskog prijateljstva), ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë (Savjet za nacionalne manjine pri Vladi Republike Hrvatske). Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve (Hrvatska akademija znanosti i umjetnosti) për librin Vlasi u historiografiji (Vllehët në historiografi), i cili u shpall libër i vitit 2004. Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.

Marre nga gazeta http://www.drita.info/2016/04/04/kaloi-ne-amshim-prof-dr-zef-mirdita-1938-2016/