Mos e bëj

 

Poezi nga Ilnisa Agolli.

E vetmja gjë që kërkonte në avullin e pasqyrës,
ishte një copë vete.
E pashë!
Një copë vete,
mbetur mëngës së një peshqiri
që nuk ishte më i bardhë si ai që gjente dikur shtëpisë.
Ai që ishte gjithnjë i hekurosur
megjithëse i ashpër.
Ai që ishte padyshim i vogël
por nuk ishte asnjëherë qull.
Atë që nuk e shihte më varur sot
aty afër në pasqyrë.
E pashë si e mbushi gojën me kolinoz,
pastaj pa thonjtë,
pastaj kalendarin.
E shtunë.
Pastaj pa orën: 21:19
Kishte kohë sa të gjente furçën apo vinte re
një puçër në faqe dhe mandej t’i vinte për të qarë,
deri më 11:00 që dilte.
Mendonte se dashuria lypej netëve dhe se këtë e bënte të mërkurave zakonisht
jo të shtunave.
Të shtunat s’kanë datë, as orë
janë të lumtura.
Por sot qenka kaq e mërkurë, sa nuk do qaj-tha.
Pastaj u merzit dhe mbylli derën.
E pashë si hutua!
Ishte përvjetori martesës.
Nga ato që festohet pa fjalë derisa dëgjohet një zile telefoni
dhe është gjithmonë një bjonde mes tyre.
Një bjonde klasike,
nga ato që
nuk është kurrë aty,
sepse s’do ta kuptonte asnjëherë atë shije trishtimi që gjendet mes rreshtave ku kërkon
thjesht për një “natën e mirë”
që ta thotë me aq lehtësi një tjetër.
Brune, këtë herë,
që s’ka telefon por me një poet në dorë
veç kur ia nis e të citon:
“se si vetëm në ca netë ngrihet e shembet botë e tërë?”
Qëlloi e shtunë, u habit!
Të dielën, e pashë:
Kërkonte poshtë kalendarit një copë botë
Është fatkeqësi kur e kupton
se në fakt gjithë jetën
paske qenë më shumë njeri
se gomar.
Kaq pak mjafton
fare pak,
hiçgjë.
Më pak se pak, për të parë veten
që s’je as i bukur
dhe se vetëm pafuqia të paska dhënë nur,
dhe se sa shumë pështymë kërmilli
t’u desh të gëlltitësh prej frikës
se mos rrije dhe pak
aq sa për të larë dhëmbët në mëngjes.
Se sa shumë pendesë poeti
t’u desh të ndiesh mes rreshtave
si vdes nje burrë nga një i vetëm gurë.
Se sa shume dhimbje koke do të përtypje çdo vakt
dhe se kaq shumë kohë
që në lavaman të vije duart
para pasqyrës me avull
dhe tre peshqirëvë përdhe
për t’i thënë vetes se :
– As një copë hale s’je!