SBASHK-u, thirrje nxënësve: Nesër mos shkoni në shkollë në orët e para të mësimit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës, përmes një komunikate për media, u ka bërë thirrje nxënësve që nesër në orën e parë, në të dyja ndërrimet, mos të shkojnë në shkollë.

Këtë vendim SBASHK-u e ka marr pasi që, siç thonë ata, Qeveria e Kosovës nuk e mbajti fjalën në raport me punëtorët e arsimit.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe apelojmë që të mërkurën, më 14 shkurt, nxënësit mos të jenë në shkollë në orën e parë në të dy ndërrimet. Ata le të jenë në vatrat e tyre të diturisë në kohën e duhur për të nisur orën e dytë.

Nëse gjendja nuk ndryshon, atëherë ju lusim që edhe të martën, më 20 shkurt, nxënësit mos të jenë në shkolla në dy orët e para të të dy ndërrimeve, por të shkojnë me kohë për të nisur mësimin në orën e tretë. Këtë apel e bëjmë për hir të sigurisë së nxënësve tanë ngase mësimdhënësit janë në grevë dhe nxënësit në oborre shkollash, apo pa mësimdhënësit në klasë, do të sfidohen nga ndonjë zënkë a rrezik tjetër”, thuhet në apelin e SBASHK-ut.