Shpat Kasapi, shqiptari i katërt në Eurovision

Shpat Kasapi pretendon të përfaqësojë Maqedoninë në Eurovision. Këngëtari nga Shkupi ka treguar për Pop Culture se kënga e tij është dërguar për të kaluar në fazën përzgjedhëse.

Ndryshe nga vendi ynë, që zhvillohet Festivali i Këngës në RTSH dhe kënga fituese atje zgjidhet për të shkuar në Eurovision, në Maqedoni këngëtarët dërgojnë këngët e tyre dhe një komision zgjedh cila vlen për në festivalin e këngës.

Shpati tregon se kënga e tij është shumë e bukur dhe beson se do të pëlqehet, një ndërthurje mes Justin Timberlake dhe reggaeton, tek e cila ka dhënë maksimumin. Dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen e tij që kënga të kualifikohet. “Unë jam me këtë, edhe nëse fut mik, nëse kënga nuk vlen, do turpërohesh atje”.

Ermal Meta bashkë me Fabrizio Moro-n u shpallën fitues në Sanremo dhe shkojnë automatikisht në Eurovision, Eugent Bushpepa do të përfaqësojë Shqipërinë, Eleni Foureira gjithashtu shqiptare do përfaqësojë Qipron dhe nëse Shpati zgjidhet, do të jetë i katërti shqiptar në Eurovision këtë vit.